English | BCMS | Български | македонски | Română | Shqip | Slovenščina

Llogaritësi për kapacitetin e magazinimit të eksplozivëve

E rëndësishme: Instrumenti i kapacitetit të magazinimit është një fletëllogaritëse në EXCEL që do të ndihmojë në përllogaritjen e kapaciteteve të lejueshme të magazinimit të municioneve për një depo të mundshme shpërthimi (Potential Explosive Sites – PES) të përzgjedhur, kur janë dhënë distancat e disponueshme me depot e ekspozuara (Exposed Site – ES) përreth. Rezultatet e nxjerra bazohen në kriteret e sasisë dhe distancës së sigurisë për eksplozivët, të cilët gjenden në AASTP-1 e NATO-s, Botimi 1, Ndryshimi 3. Instrumenti nuk mund të vlerësojë më tepër se një PES njëherësh, por do të marrë në konsideratë disa ES si pjesë e atij vlerësimi të PES-së. Për vende ku ndodhen shumë PES, dhe si pjesë e vlerësimit të një zone të përgjithshme magazinimi, instrumenti duhet të ekzekutohet për secilën PES dhe për sasinë përfundimtare neto të eksplozivit (Net Explosive Quantity – NEQ) për çdo PES të përzgjedhur bazuar në rezultatet e këtij vlerësimi.
Manuali i përdoruesit ofron udhëzime specifike për mënyrën sesi duhet vënë në funksionim instrumenti. Kryesisht përdoruesi përzgjedh llojin e PES-së nga një meny dhe fut distancën e njohur duke e ndarë PES-në nga ES-të përreth që janë pjesë e vlerësimit. Më pas instrumenti do të aplikojë kriterin e AASTP-1 për të përllogaritur NEQ-në e lejueshme për çdo Kategori të Rrezikut (HD). Për sa i përket HD 1.5, përdoruesi duhet ta trajtojë atë si HD 1.1. Referojuni AASTP-1 për kërkesat e magazinimit për HD 1.4.
KUJDES! Është e rëndësishme që përdoruesit të dinë se rezultatet e vlerave NEQ të instrumentit nuk marrin në konsideratë rregullat e përzierjes dhe grumbullimit të AASTP-1. Vlerat e llogaritura të NEQ-së paraqesin sa mund të ruhet vetë për çdo HD duke marrë parasysh distancat e dhëna nga përdoruesi dhe jo vlerat e HD-së dhe NEQ-së që mund të ruhen në të njëjtën kohë. Kjo është diçka tejet e rëndësishme që duhet kuptuar. Nëse nuk aplikohet siç duhet, rezultati mund të jetë një PES e mbingarkuar që mund të gjenerojë pasoja shumë më të rënda se ato që pasqyrohen nga distancat e sigurisë. Për këtë arsye, përdoruesi duhet të kuptojë rregullat e përzierjes dhe grumbullimit të AASTP-1 dhe t'i aplikojë ato siç duhet.
Kërkohen njohuri minimale: Përdoruesit duhet të kenë njohuri/të kuptojnë: sistemin e klasifikimit të rrezikut nga OKB-ja për klasifikimin e municioneve, (p.sh., HD 1.1 deri në HD 1.6); përdorimin/zgjerimin e këtij sistemi nga ana e AASTP-1 për qëllime të magazinimit; rregullat e përzierjes/grumbullimit për përzierjen e HD-ve të ndryshme së bashku në të njëjtën PES; dhe përcaktuesit e forcës strukturore të objekteve meqë ato do të ndikojnë në përzgjedhjen e PES-së. Informacione shtesë për këto fusha mund të gjenden në AASTP-1 të NATO-s, Botimi 1, Ndryshimi 3.
Sapo të hapet instrumenti, përzgjidhni OPTIONS (OPSIONET) dhe lejoni makrot, përndryshe instrumenti nuk do të funksionojë siç duhet.
Kjo fletëllogaritëse është dhuratë nga projektuesi i saj, Ministria e Mbrojtjes (MM) në Belgjikë, dhe Konferenca e Drejtorëve Kombëtarë për Armatimin (CNAD), Grupi për Sigurinë e Municioneve (CASG) (AC/326), Nëngrupi C "In-Service and Operational Safety Management" ("Menaxhimi i sigurisë në vendin e punës dhe i sigurisë operative").